Prishtinë, 18 dhjetor- Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi është duke treguar gatishmëri që pos minoritarëve t’i bëjë edhe Ramush Haradinajn e Behgjet Pacollin hisedarë në udhëheqje të institucioneve qendrore të shtetit. Burime të Kohës Ditore kanë bërë të ditur se ai parasheh që ndarjen e tri institucioneve qendrore të shtetit ta bëjë sipas formatit: kryeministri i PDK-së, presidenti i AAK-së dhe kryetari i Parlamentit i AKR-së. Mediet e afërta me PDK-në nuk e kanë përjashtuar mundësinë që së shpejti Thaçi të marrë rrugë për në Hagë, me qëllim që të bisedojë me Haradinajn pikërisht për çështjen e ndërtimit të koalicionit qeverisës. Mirëpo, me gjithë vullnetin që mund ta ketë pretendenti për kryeministër të ardhshëm për t’u parë me kreun e AAK-së, mbrojtja e këtij të fundit dyshon se mund të realizohet diçka e tillë.
Koordinatori i mbrojtjes së Haradinajt, Michael O’Reilly, ka sqaruar të premten përmes një deklarate për shtyp se takimi mes dy liderëve për të diskutuar çështje të karakterit politik, në radhë të parë duhet iniciuar nga vetë Haradinaj.
“Duhet theksuar se ky takim në radhë të parë duhet të kërkohet nga vetë Haradinaj, dhe duke marrë për bazë të gjitha rrethanat, një kërkesë e tillë për takim do të refuzohej nga Tribunali”, ka thënë ai.
“Koha Ditore” përmes burimeve të veta ka marrë vesh se kryeministri në largim, në fakt ka pritur që takimin me liderin e AAK-së ta bënte në Prishtinë, pasi Tribunali i Hagës kishte vendosur që ta lironte përkohësisht Haradinajn nga paraburgimi. Por lirimi i Haradinajt u anulua vetëm një ditë para se ai të vinte në Kosovë, pasi Tribunali e miratoi kërkesën e Prokurorisë për të mos e lëshuar atë.
Në takimin e mundshëm mes dy politikanëve që ndërtuan parti pas mbarimit të luftës së UÇK-së, është llogaritur se do të nxirrej emri i kandidatit të AAK-së për president. Nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala është parë si njeri i mundshëm për këtë pozitë.
“Për PDK-në është me rëndësi që të marrë një qëndrim të qartë nga lideri i AAK-së, se kush nga partia e tij do të emërohej president, ndonëse të gjitha gjasat janë që ai të jetë Blerim Shala”, ka thënë një prej zyrtarëve të lartë të PDK-së. Në PDK nuk llogarisin që lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli do ta pranojë postin e kryetarit të Kuvendit, por atë do ta delegojë te një personalitet tjetër i partisë. Jozyrtarisht thuhet se kandidat potencial për kryeparlamentar do të jenë Mimoza Kusari- Lila ose Ibrahim Gashi. Ky i fundit llogaritet të jetë më favorit për këtë pozitë, për shkak se deri tani ka ushtruar pozitën e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit dhe e njeh punën e organit më të lartë legjislativ. Ndërkaq Kusari-Lila shihet si opsion edhe për drejtimin e ndonjërës prej ministrive që do t’i takonin AKR-së. Gashi ka mohuar të jetë në dijeni që emri i tij të jetë përfolur për kryetar të Kuvendit, ndonëse nuk e ka mohuar që do ta drejtonte këtë institucion sikur atë t’ia besonte partia.
“Së pari dua të sqaroj se nuk kam qenë në Kosovë për katër ditë rresht, sepse kam qenë në Paris në mbledhjen e Komitetit të Këshillit të Evropës, dhe nuk di se çka mund të jetë diskutuar në nivel partiak, dhe së dyti dua të tregoj se jam i përgjegjshëm në kryerjen e çfarëdo detyre që ma ngarkon partia”, ka thënë Gashi përmes një bisede telefonike.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e hyrjes së AKR-së në koalicion qeverisës, duke rikujtuar se kjo parti nuk ka pasur asnjëherë “vija të kuqe” për asnjë parti tjetër.
“AKR-ja është forcë konstruktive e cila është e gatshme që ta ndihmojë funksionimin e institucioneve të shtetit.
Mirëpo është e kuptueshme që çështja e lidhjes së koalicioneve është edhe çështje e ndarjes së interesave”, ka theksuar Gashi.
Edhe në AAK e kanë mohuar mundësinë e zhvillimit të negociatave për bashkëqeverisje me PDK-në, ndonëse nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ato të zhvillohen ditëve në vijim.
“Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë negociata për një qeverisje të mundshme pa u pastruar pozicionet. Duhet me ditë kush është Parlamenti i Kosovës. Ne jemi skeptikë me këtë përbërje të Parlamentit, për shkak se zgjedhjet kanë qenë në nivelin më ulët”, ka pohuar në Rahovec, Daut Haradinaj, i cili pretendon të bëhet deputet në Kuvendin e Kosovës.
Zyrtarët e AAK-së, gjatë gjithë fushatës, por edhe para saj, kanë përjashtuar çdo mundësi që të hyjnë në koalicion me PDK-në, duke e akuzuar atë për rrënim të institucioneve dhe për lidhje me Shërbimin Informativ të Kosovës.
Shumicës së zërave kundërshtues në AAK një ditë më herët u është përgjigjur nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, duke thënë se janë “zëra jovendimmarrës”.
“Dua të them se kemi vërejtur tek disa parti politike, përfshirë edhe AAK-në, se brenda saj kanë folur disa njerëz që nuk janë vendimmarrës”, ka thënë Kuçi. Ky zyrtar i lartë i PDK-së është shprehur optimist se pozicionet me partitë e tjera janë duke u përafruar, kështu që koalicioni i ardhshëm do t’i ketë së paku 75 vota.
“Por jemi duke punuar që t’i kemi dy të tretat”, ka shtuar ai. Kuçi ka hedhur poshtë pretendimet se ndonjëra nga partitë që e kanë kaluar pragun për të hyrë në Kuvend të mund t’i vërë kushte PDK-së për hyrje në bashkëqeverisje.
“Kushte PDK-së nuk mund t’i vërë askush. Ne mund t’u bëjmë të tjerëve”, ka deklaruar ai. Peshën e koalicionit qeverisës llogaritet se do ta shtojnë në masë të konsiderueshme numrat e deputetëve të partive që vijnë nga komunitetet pakicë, serbe dhe joserbe.
Drejtues të PDK-së parashohin se “apetitet” e minoritarëve do t’i plotësojnë me dhënien e së paku dy ministrive, ndonëse ende nuk është qartësuar se cilat do të jenë ato.
Një koalicion të gjerë partish është duke e favorizuar një pjesë e faktorit politik ndërkombëtar. Krejt kjo, për shkak të përballimit më të lehtë të sfidave që pritet të dalin gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë.
Koalicioni PDK-AAK-AKR—minoritete do ta linte në opozitë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe lëvizjen “Vetëvendosje!”. LDK-ja do ta përjetonte për herë të parë ndjesinë e të qenit në opozitë që nga themelimi i saj si parti politike, kurse “Vetëvendosja” do ta fillonte karrierën parlamentare duke mbetur si zë kritik i pushtetit.