Tiranë, 21 janar – Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar menjëherë pas konferencës së kryeministrit Berisha. Ai tha se për opozitën nesër do të jetë ditë zie për viktimat, ndërsa porositi Berishën që të bëhet gati, sepse opozitën do ta ketë ballë menjëherë pas ditës së zisë.
Rama më këtë rast tha se “qytetarët shqiptarë po kërkojnë që në vend të mbizotërojë më shumë drejtësia, dhe të largojë një qeveri pushtuesish”.
Rama po ashtu kërkoi nga drejtësia që të nisë menjëherë hetimet ndaj kësaj ngjarje dhe të dalë në shesh drejtësia.
Kreu i socialistëve tha se kundërshtimi do të vazhdojë, por në mënyrë paqësore dhe jo me skenarin si ky i ditës së sotme që, sipas Ramës, është përgatitur nga pushteti.
Në demonstratën e sotme të dhunshme, që disa ditë më parë ishte ftuar nga PS-ja dhe partitë tjera opozitare, nuk u pa asnjë nga krerët apo deputetët e saj.
Një nga kundërshtarët më të mëdhenj politikë të Berishës, Spartak Ngjela, ndërkaq, premtoi se që nesër do të ketë sërish demonstratë në Tiranë.