Prishtinë, 13 dhjetor - Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, publikoi rezultatet paraprake ku sipas vëzhguesve të saj, janë numëruar më shumë se 51 për qind e fletëve të votimit.
Përfaqësues të Demokracisë në Veprim në deklaratën për mediat në orët e pasmesnatës thanë se në Drenas dhe Skënderaj ka prova të qëndrueshme për manipulim dhe se të dhënat e këtyre dy zonave janë lënë jashtë përllogaritjeve të tyre pikërisht për këtë fakt.
Sipas llogarive paraprake të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (pas numërimit të 51 të fletëvotimeve paa Drenasin e Skenderjat) PDK vazhdon të udhëheqë me 30.69 për qind, LDK 26.2 përqind, Vetëvendosje 12.78 përqind, AAK 10.89 përqind, AKR 7.85 përqind, LDD 2.78 përqind FER 2.35 përqind dhe partitë e tjerat rreth 6 përqind.
Demokracia në Veprim tha se manipulimi është mbështetur në votimin e të njëjtit person mbi 2 herë. Ky manipulim, thanë ata, ka dëmtuar procesin zgjedhor dhe mbetet për t’u parë në orët në vazhdim nëse procesi zgjedhor duhet të përsëritet në këto dy zona apo jo.